Deputeti i PD Gjin Gjoni i qëndron mendimit të tij se pprotesta e opozitës duhet të jenë të qëndrueshme, konsistente, dhe ku deputetët opozitarë të shohin alternativën e grevës së urisë.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Gjoni vuri në dukje se "asnjë nga format e tjera të protestës s’është eliminuar".
Po ashtu deputeti foli për sinjale pozitive edhe nga faktorët ndërkombëtar, një ditë para tubimit të thirrur nga PD para Kryeministrisë.
“Siç e deklaroi edhe kryetari i PD, ne s’do japim skenarin e protestës online. Protesta do ketë zhvillimet e veta në varësi të skenarëve që do ndërtohen në momentin dhe situatën e caktuar", tha Gjoni.
"Asnjë nga format e tjera të protestës s’është eliminuar. Kam sugjeruar protesta të qëndrueshme, konsistente, ku deputetët duhet të japin kontribut më të madh, pse jo të futen edhe në grevë urie. Në rast se suksesi s’është i koordinuar me faktorin e brendshëm dhe të jashtëm duhet të kesh një rezultat që të japë edhe goditjen përfundimtare. Sinjalet janë pozitive nga gjithë faktorët dhe aktorët me të cilët jemi në kontakt, qoftë edhe me faktorin ndërkombëtar, që gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”, shtoi deputeti i PD. (A2 Televizion)