Analisti Aleksandër Çipa, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, komentoi protestën kombëtare të Partisë Demokratike, duke theksuar se qeveria nuk është tronditur.
“Unë nuk mendoj se është tronditur Edi Rama. Sepse tronditje është kur ti i shkakton një bllokim, kur e neutralizon nga ushtrimi maksimal i pushtetit që opozita e quan regjim. Edhe pse ka goditje nga aferat dhe vazhdon të goditet, është aspekti tjetër: që është pjesa e kalimit në dorën e qytetarit dhe kjo na shqetëson, pasi ka edhe lëndime. Madje, sot për herë të parë kemi parë gazetarë të dëmtuar. Këto janë imazhe të papranueshme dhe duhet të dalin përgjegjësitë”, tha Çipa.
Më tej, analisti theksoi se opozitës i duhet vlerësuar që është kthyer në epiqendër të vëmendjes së medias ndërkombëtare.
“Opozita ishte kudo sot në rrjete të rëndësishme ndërkombëtare”, nënvizoi Çipa. (A2 Televizion)