Të rinjtë e Partisë Demokratike do të zhvillojnë protestën e radhës në 19 dhjetor.
Teksa deklarojnë se solidarizohen me studentët dhe mbështesin shqetësimet e tyre, të rinjtë demokrat do t’i bashkohen marshimit nga Qytet Studenti në Ministri të Arsimit.
“Në 19 dhjetor, të enjten ora 12:00, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës marshim të të rinjve të FRPD dhe GRUD nga Qyteti Studenti drejt MAS. Çdo student dhe çdo i ri që kërkon që arsimi të mos bëhet kurban i Edi Ramës dhe korrupsionit të tij është i ftuar në na bashkohet në këtë marshim dinjiteti ne emër të Universitetit”, ishte thirrja e kreut të FRPD, Besart Xhaferri nga selia blu.
Xhaferri në vijim tregoi dhe arsyet pse do të zhvillohet ky tubim.
“Në 2018 kur premtoi Paktin për Universitetin për të shuar protestat studentore, që nuk i vuri nën kontroll me taborrin mediatik dhe patronazhistët e FRESH, Edi Rama u zotua se duke nisur nga 2019 për arsimin do shkonte 5% e PBB. Po përgjatë këtyre viteve kjo rezultoi mashtrimi i radhës, teksa për buxhetin e vitit 2025, për arsimin në tërësi është parashikuar të jepet vetëm 2,45 % të PBB të vendit ose ndryshe 62.2 miliardë lekë, më pak se gjysma e asaj që ishte premtuar. Konkretisht për arsimin parauniversitar të përgjithshëm do jepet 1,79 % e PBB, për arsimin profesional është planifikuar vetëm 0,17 % e PBB dhe për arsimin e lartë projektuar vetëm 0,49% e PBB. Edi Rama, që kërkon të marrë edhe kompetencat e Kryeshkencëtarit, planifikon që për shkencë të investojë vetëm 0.06% të PBB, në një kohë që miliona euro nga taksat tona alokohen për koncerte tallavaje dhe marketing personal në mediat ndërkombëtare. Asnjë nga 8 pikat e paktit për Universitetin nuk është mbajtur”, shpjegoi ai. (A2 Televizion)