"Protesta nuk jep ultimatum". Deputetja e PS: Ftojmë pjesën e shëndetshme që të ulemi

Nga A2 CNN
1 Korrik 2026, 17:33 | Politikë

Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, ka bërë thirrje për dialog me protestuesit, duke theksuar se shqetësimet duhet të adresohen përmes komunikimit dhe jo përmes ultimatumesh.

E ftuar në "Ditarin e Pasdites" me gazetarin Pandi Gjata, Ekonomi u shpreh se procesi i reformave do të vijojë, ndërsa apeloi që "pjesa e shëndetshme" e protestuesve të ulet në tryezë për të diskutuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre.

"Unë, për ata që protestojnë në shesh, do të thosha që pjesa e shëndetshme duhet të bëhet gati të ulet dhe të krijojë një hapësirë komunikimi për të treguar shqetësimet e veta, për të parë se si mund ta bëjmë më mirë punën që është duke ndodhur. Kjo punë nuk do të kthehet mbrapa", deklaroi ajo.

Sipas Ekonomit, zbatimi i reformave të parashikuara do të vazhdojë dhe deri tani një pjesë e konsiderueshme e objektivave është realizuar.

"Janë 101 piketa. Deri tani po realizohen rreth 35 dhe do të përfundojnë edhe të tjerat. Ka ende kohë që të reflektojmë për gjërat që mund të bëhen më mirë.

Unë do t'u bëja thirrje të vijnë të ulemi dhe të diskutojmë bashkërisht se çfarë duhet përmirësuar", u shpreh deputetja socialiste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos