Me kërkesën e pandryshuar, largimin e Erion Veliajt, opozitarët protestuan edhe këtë të enjte për herë të 18-të para Bashkisë së Tiranës. Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, para protestuesve deklaroi se në dosjen 5D dhe atë të inceneratorit të Tiranës janë zbuluar persona të tjerë të përfshirë duke i përmendur edhe emrin e Elton Buallit.
“Ky individ mori para për të ngritur edhe një serë me paratë e fermerëve nga programi IPARD, edhe këto para që vijnë për fermerët, do të duhej t'i vidhte inceneratori i Tiranës. Elton Bualli bashke me Stela Gugallën morën plot 310 mijë euro”.
Sipas Këlliçit, pavarësisht denoncimeve të bëra nga Partia Demokratike, SPAK nuk ka reaguar duke hedhur akuza ndaj Strukturës së Posaçme për amnisti.
“Por çfarë ka bërë SPAK-u, do të thoni ju? Kolegët e Erion Veliajt, edhe në ato 8 masa të lëshuara në javën e kaluar nuk kanë patur guxim që të përmendin emrin e këtij individi, i cili është lidhje e drejtpërdrejtë e Erion Veliajt në inceneratorin e Tiranës. Kolegët e Erion Veliajt kanë vendosur të amnistojnë bandën e inceneratorit të Tiranës dhe bandës 5D”.
Tedi Blushi, anëtari i Këshillit Bashkiak, i cili tre ditë më parë u përfshi në një incident me kolegun e tij në bashki Halit Valteri pati një falënderim për të gjithë qytetarët që iu përgjigjën thirrjes për këtë tubim të radhës.
Opozitarët premtojnë se tubimet para bashkisë do të vijojnë paravarësisht verës dhe temperaturave të larta. (A2 Televizion)