Adriatik Lapaj, nga lëvizja “Shqipëria bëhet, i ftuar në studion e “Ditarit” në A2 CNN, deklaroi se marrëveshja për votën e diasporës është “arritja më e madhe politike e 20 viteve të fundit”.
“Drafti që ne kemi çuar është pranuar në një pjesë shumë të madhe, është bashkuar me draftin e dakordësuar nga partitë parlamentare. Ai adreson në pjesën dërrmuese atë që kishim kërkuar. Ajo që nuk u adresua ishte vetëm ngritja e një komisioni të posaçëm pranë KQZ, të përbërë nga 5 anëtarë të pavarur, si hap i parë i depolitizimit të administratës zgjedhore. Gjithsesi, në tërësinë e vet, miratimi i votës së diasporës është një arritje e jashtëzakonshme e shqiptarëve që jetojnë brenda dhe jashtë vendit”, tha Lapaj.
“Është një fitore e jashtëzakonshme dhe duhet shfrytëzuar maksimalisht për të vendosur demokracinë e vërtetë në Shqipëri. Partitë nuk e donin votën e diasporës, siç nuk donin Reformën në Drejtësi, por e votuan. Në Gjykatën Kushtetuese u fitua çështja dhe u vendosën përballë faktit që Parlamenti nuk mund të mos zbatonte një vendim të kësaj gjykate. Zoti Majko e pranoi këtë fakt, duke u treguar burrë”, shtoi Lapaj.
(A2 Televizion)