
Kryeministri Edi Rama, në Forumit të Paqes në Paris, komentoi protestat duke u shprehur se projekti i lidhur me Jared Kushner ishte ai që nxiti zemërim.
“Do të bëja një dallim mes asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet e fillimqershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë e projektit të famshëm që lidhet me Jared Kushner. Ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti zemërimin e "demit". Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë përshkallëzuan në dhunë, që nuk është e pranueshme dhe s'ka të bëjë më me protestën e fillimit”, u shpreh Rama, shkruan A2.
Kreu i qeverisë shtoi se janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në tubimet që po zhvillohen në vendin tonë, duke nisur nga ndikimi i Iranit, ANTIFA, grupet kriminale dhe opozita.
“Mendoj se kudo ku ka një protestë, ka arsye mbi të cilat duhet reflektuar, në përpjekje për të gjetur çfarë ka në sfond. Sfondi i kësaj proteste është mjaft komplekse. Është si një tenxhere ku zien gjithçka. Nga shqetësimi për mjedisin, gjepura anti-semite të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, si republika Khomeiniste e Iranit, parti të mëdha e të vogla të opozitës që fshihen pas, iluzionet e ANTIFA-s, por edhe njerëz që kanë shqetësimet e tyre për kostot e jetesës e deri te njerëz të sjellë nga krimi i organizuar. Është një gjë tejet komplekse, që nuk duhet trajtuar në një mënyrë, por në disa mënyra. Buxheti i ri, përmes masave të marra, do e lirojë pak presionin e kostos së jetesës. E shoh, sepse e shoh edhe në Francë sesa komplekse është, pavarësisht se konteksti është ndryshe”, shtoi Rama. (A2 Televizion)