Partia Socialiste do të zhvillojë më 14 nëntor asamblenë e saj, ku pritet të diskutohen dhe të merren vendime lidhur me zgjedhjet vendore të dekretuara më 19 maj.
Mësohet se diskutimet do t’i nisë Blendi Klosi, i pari që do të mbajë fjalën në një prej hoteleve në Gjirin e Lalzit. Më tej, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të paraqesë qëndrimin e tij jo vetëm për protestat, por edhe për fushatën e socialistëve.
Ende nuk është e qartë nëse në këtë asamble do të bëhen publikë emrat e 46 kandidatëve për bashkitë e vendit, apo nëse do të shpallet kandidati i së majtës për Tiranën, që pritet të jetë edhe beteja më e fortë elektorale.
Ndonëse në korridoret politike ka nisur të flitet për ndryshime të mundshme në qeveri, burimet pohojnë se këto mbeten në nivel hamendësimesh. Megjithatë, në fund, vendimet i takojnë kryeministrit Edi Rama.
Asambleja e së shtunës shënon takimin e parë të socialistëve pas protestave të tetorit dhe tri letrave me akuza të dërguara nga burgu prej Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës.
Mësohet se në këtë asamble pritet të miratohen udhëzimet për agjendën që do të ndjekin socialistët përpara nisjes zyrtare të fushatës elektorale.
Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2023, kur u garua për 61 bashki, më 19 maj forcat politike do të përballen vetëm në 46 bashki, si pasojë e reformës territoriale të miratuar me votat e së majtës.
Paralelisht, në Kuvend vijojnë diskutimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, mënyrën e zgjedhjes së këshillave bashkiakë, si dhe kompetencat e pushtetit vendor.
Një tjetër çështje ku palët kanë qëndrime të ndryshme është sistemi zgjedhor. Opozita kërkon lista të hapura për zgjedhjen e deputetëve dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, ndërsa mazhoranca synon që Kuvendi të ketë 101 ligjvënës, nga 140 që ka aktualisht. (A2 Televizion)