Burimet njerëzore aktuale të SPAK nuk janë të mjaftueshme. Këtë pohoi prokurori i posaçëm, Alfed Shehu në Komisionin e Mbikëqyrjes Institucionale ku u diskutua buxheti i vitit të ardhshëm.
25 punonjës shtesë, 8 në SPAK dhe 17 në Byronë Kombëtare të Hetimit janë disa nga kërkesat, edhe pse pranohet vonesa e emërimeve për shkak të procedurës së gjatë për emërimet.
“Këto kërkesa synojnë forcimin e kapaciteteve administrative, teknike dhe operacionale në të dy strukturat, në funksion të përballimit të volumit në rritje të veprimtarisë hetimore”, tha Alfred Shehu | Prokuror i SPAK, përcjell A2 CNN.
Godina e re e SPAK tashmë është ndërtuar, por ende nuk është plotësuar me mobilie e kasaforta. “Investimet kryesore kanë të bëjnë me 15 milionë lekë për pajisje zyre, të lidhura me shtimin e personelit dhe funksionalizimin e godinës së re. Investimi përfshin mobilje zyre, pajisje për ambiente mbështetëse, kasaforta dhe grirëse letrash. 30 milionë lekë për blerjen e 8 automjeteve. 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike”, tha Shehu.
Nga drejtori i buxhetit dhe menaxhimit financiar në prokurorinë e posaçme u prezantua edhe kërkesa për të pasur një psikolog.
“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore”, tha Armand Shini, Drejtor i Buxhetit.
Në Komisionin Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, raportuan edhe institucionet e tjera të drejtësisë, ku kërkesat e tyre ishin për rritjen e kapaciteteve. Opozita mungoi në këtë komision, ku bashkë me të munguan edhe debatet. (A2 Televizion)