Nufi takon komandantin Suprem të NATO-s: Folëm për Porto Romanon, Korridorin VIII dhe projekte për lëvizshmërinë e aleancës

Nga A2 CNN
29 Maj 2026, 16:45 | Politikë

Nufi takon komandantin Suprem të NATO-s: Folëm për Porto Romanon,

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), në Belgjikë, ku u prit nga Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, Gjeneral Alexus G. Grynkeëich.

Sipas Ministrit Nufi, gjatë takimit me Gjeneral Grynkeëich, u vu në dukje roli aktiv i vendit tonë në strukturat vendimmarrëse, operacionale dhe strategjike të Aleancës

“Përfaqësimi i Shqipërisë në nivelet më të larta të komandimit të NATO-s është tashmë një realitet i prekshëm që dëshmon pjekurinë profesionale të Forcave tona të Armatosura dhe besimin që aleatët kanë ndaj Shqipërisë, si një vend që kontribuon aktivisht në sigurinë kolektive euroatlantike. Mbështetja e vazhdueshme e Aleatëve mbetet kyçe për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe rritjen e gatishmërisë operacionale”, u shpreh Ministri Nufi. 

Nufi siguroi Gjeneralin Grynkeëich se Shqipëria ka prioritet kryesor modernizimin e vazhdueshëm të Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve që burojnë nga anëtarësimi në NATO, duke respektuar zotimin e dhënë në Hagë, për investimet në mbrojtje dhe duke avancuar modernizimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Palët diskutuan edhe për Bazën Detare të Porto Romanos dhe mobilitetin përgjatë Korridorit VIII. Ministri Nufi u shpreh se këto janë disa prej projekteve madhore, për të cilat vendi ynë po bën investime të rëndësishme në infrastrukturën strategjike në forcimin e lëvizshmërisë së NATO-s, ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë operacionale.

Pjesë e bisedës me komandantin e lartë amerikan ishte edhe vendosmëria e Shqipërisë për të rritur kontributin në të gjitha operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë misionin e NATO-s KFOR dhe EUFOR ALTHEA, pasi u vlerësua se rajoni mbetet i ekspozuar ndaj ndikimeve keqdashëse, si dhe ndaj sulmeve hibride dhe kibernetike, çka kërkon vëmendje dhe koordinim të vazhdueshëm mes aleatëve.

Ministri i Mbrojtjes i tha Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë, gjeneral Grynkeëich se Shqipëria po përgatitet intensivisht për Samitin historik të NATO-s në Tiranë, vitin që vjen.

Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE) është zemra operacionale e NATO-s, qendra ku ndërthuren planifikimi strategjik, drejtimi operacional dhe koordinimi shumëkombësh i Aleancës.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos