11 mijë aplikime në katër ditë për Skemën Kombëtare 2026 të bujqësisë, Salla: Do të mbështesim çdo fermer që plotëson kriteret

Nga A2 CNN
29 Maj 2026, 19:20 | Politikë

11 mijë aplikime në katër ditë për Skemën

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka bërë të ditur se në katër ditët e para të aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 janë regjistruar mbi 10,500 aplikime në rang vendi.

Gjatë një vizite në AgroPikën e Lushnjës, ku fermerët po marrin asistencë për procesin e aplikimit, Salla u shoqërua nga drejtuesja politike e qarkut Fier, Belinda Balluku, dhe zëvendësministri Dhimitër Kote.

Sipas ministrit, skema është hartuar pas konsultimeve me fermerët dhe synon të adresojë nevojat e sektorit, ndërsa interesi i lartë në ditët e para reflekton, sipas tij, përgatitjen e mëparshme të aplikantëve.

Ndryshimet kryesore të Skemës 2026 përfshijnë uljen e pragut të përfitimit në sektorin e blegtorisë nga 100 në 50 krerë për të imtat, si dhe rritje të mbështetjes financiare për blegtorët, shkruan A2 CNN.

Gjithashtu, parashikohet mbështetje për ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve, investime në infrastrukturë, energji diellore dhe pajisje për garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore.

Skema përfshin edhe mbështetje për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, si dhe mundësinë e bashkimit të sipërfaqeve nga fermerët për të përfituar nga masat e mbështetjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos