
Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në Dibër, kryeministri Edi Rama përsëriti se PS ka dëshmuar që është e vetmja forcë politike, e cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se historia e PS-së nisi me shkëputjen e socialistëve dhe progresistëve nga e shkuara komuniste dhe krijimin e një force politike moderne, që sipas tij ka luajtur rol kyç në zhvillimet më të rëndësishme të vendit gjatë këtyre 35 viteve.
“Historia e PS nuk nis me momentin kur hyra në parti unë me Ulsiun. Por nis në momentin kur idealët dhe progresistët bënë një zgjedhje shumë të qartë dhe u shkëputën në mënyrë shumë të arsyeshme nga e shkuara, duke i dhënë jetë një partie e cila në këto 35 vite ka shënuar disa gjëra të rëndësishme në librin e jetës politike shqiptare. Në radhë të parë, PS ka provuar më shumë se sa një herë që është e vetmja forcë politike e cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar”, u shpreh Rama, përcjell A2 CNN.
Kreu i qeverisë kujtoi edhe periudhën e luftës në Kosovë, ku sipas tij PS dhe lideri historik i saj, Fatos Nano, janë sulmuar padrejtësisht si të lidhur me Beogradin, ndërkohë që sipas Ramës kundërshtarët i shisnin naftë Sllobodan Millosheviçit.
“Shembulli më kulmor i këtij fakti është i lidhur me atë periudhë kur PS dhe lideri i saj historik, Fatos Nano, bombardoheshin nga të katër anët si të lidhur me Beogradin. Ata që i bombardonin ishin ata që ditën flisnin për Kosovën dhe natën thyenin embargon që bota demokratike i kishte vënë Sllobodan Millosheviçit dhe i shisnin naftë për të furnizuar makinerinë fashiste të spastrimit etnik”, tha Rama.
(A2 Televizion)