Kryetarja e Komisionit Hetimor për koncesionet në shëndetësi, Albana Vokshi reagoi pas miratimit të njëanshëm të planit të hetimit nga ana e përfaqësuesve të mazhorancës.
Sipas Vokshit, vijimi i kësaj mbledhje pa anëtarët e tjerë ishte një veprim i paligjshëm teksa e cilësoi aktin si një uzurpim të dhunshëm.
“Mbledhja e vazhduar nga PS, pas mbylljes së saj nga Kryetarja e Komisionit, është e paligjshme, është një vetgjyqësi politike mafioze dhe vendimet e saj janë të pavlefshme pra nul. Edhe plani hetimor i njëanshëm i votuar nga kjo vetëgjyqësi politike është i paligjshëm dhe me zero vlere ligjore. Akti i sotëm rikonfirmon mungesën e plotë të vullnetit të Edi Ramës për të lejuar hetimin nga parlamentit të dy prej akteve më të rënda korruptive të qeverisjes së tij si dhe mbrojtjes politike që ai dhe deputetët në mënyrë të verbër i japin korrupsionit dhe grabitjes shtetërore më të pashembullt të pluralizmit”, shkruan Vokshi.
(A2 Televizion)