
Nga janari pensionet do të rriten përtej indeksimit. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së fundvitit, teksa prezantoi një përmbledhje të treguesve kryesorë ekonomikë, duke theksuar rritjen e pensioneve, pagave dhe investimeve, si edhe përmirësimin e disa indikatorëve financiarë të vendit.
Sipas tij “pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj dhe kjo mbështetje do të dyfishohet vitin pasardhës”.
Kreu i qeverisë theksoi se viti pritet të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3.9%, e konsideruar ndër më të lartat në rajon. Sipas tij paga mesatare ka arritur në 833 euro, ndërsa paga minimale do të hyjë në fuqi me vlerën 500 euro.
“Parashikohet që viti të mbyllet me një rritje ekonomike 3.9% që është një rritje kuptimplotë dhe mbase më e larta në të gjithë këtë pellg ë gjendemi ne. Bizneset e reja janë shtuar me 20% në 11 mujorin e vitit. Investimet e huaja vetëm ne 3mujorin e 3-të kanë rritje me 10% dhe stoku i investimeve të huaja është domethënës më i lartë me mbi 10% krahasimisht me vitin e mëparshëm. Paga mesatare në 3 mujorin e 3-të ka rezultuar 833 euro që është një rritje domethënëse. Kemi për pak ditë dhe hyrjen në fuqi të pagës minimale që shkon në 500 euro dhe do të prekë një numër të konsiderueshëm punonjësish. Kontributet për këta punonjës për 9 muaj do të paguhen nga punëdhënësit”, shtoi ai.
Ai theksoi gjithashtu rritjen e arsimit profesional, uljen e borxhit publik, përmirësimin e vlerësimit të kreditit të Shqipërisë në nivelin BB, si dhe miratimin e politikave të reja fiskale dhe mbështetëse për bizneset e vogla dhe bujqësinë.
“Në arsimin profesional kemi arritur në afro në 20% duke shënuar një rezultat të ri pozitiv. Punësimi i nxënësve të arsimit profesional është e lartë. Për vitin 2024 kemi pasur 63% të punësuar nga nxënësit që kryejnë arsimin profesional. Buxheti për arsimin profesional është rritur dhe do të rritet më shumë vitin e ardhshëm. Përsa i përket borxhit kemi vazhduar të kemi ulje dhe këtë vit borxhi ulet, ndërkohë që vlerësimet e kreditit të Shqipërisë janë pozitive dhe kanë rezultuar me rritje ku Shqipëria pas shumë vitesh në B+ ka kaluar në BB. Janë miratuar disa politike të reja qoftë për paketën fiskale me marrëveshjen e paqes fiskale dhe ligjin për faljen e detyrimeve të prapambetura. Është gati skema e garancisë shtetërore për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe bujqësinë që ka filluar të japë efektet e para”. (A2 Televizion)