Reagojnë dy ministrat e shkarkuar, Vëngu lë “shenjë” me raketat Javelin, Spiropali flet për dinjitet

Nga Fjorela Beleshi
27 Shkurt 2026, 20:25 | Politikë

Dy ministrat e shkarkuar nga kryeministri gjatë mbrëmjes së të enjtes në mbledhjen e grupit parlamentar në Pallatin e Brigadave, nuk i shkuan në mbledhjen e qeverisë të planifikuar këtë të premte në 10:00.

Para se të largohej nga detyra, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu la një shenjë, siç e cilësoi vetë ai, në sistemin mbrojtës të Shqipërisë, duke marrë në dorëzim nga partnerët amerikanë sistemet raketore Javelin. Një reagim më të gjatë kishte Elisa Spiropali, jo për mungesën në mbledhje të qeverisë, por për vendimin e marrë nga Edi Rama për ta larguar nga posti i Ministres së Jashtme pas vetëm gjashtë muajsh.

Elisa Spiropali u shpreh: “Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen. Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë. Në këtë kuptim, detyra ime si Ministre e Jashtme nuk ishte thjesht funksion, por vazhdim i një narrative historike që e sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik. Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme”.

Spiropali falënderon Kryeministrin pa ia përmendur emrin, por vetëm duke iu referuar me funksion, për mundësitë që i ka dhënë. Nga ana tjetër ajo përçon edhe mesazhin se koha në këtë politikë do të tregojë se kush do t’i mbijetojë historisë pa shkelur vlerat morale dhe të pushtetarit.

Spiropali thotë: “Në çdo funksion që më është besuar, si deputete, kryetare Kuvendi e ministre, kam zgjedhur të jem zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë. Në Europën politike, nga De Gasperi te Schuman, modeli që mbeti ishte ai i burrështetasit që ndërton mbi parime dhe jo mbi kalkulime afatshkurtra, dhe ky mbetet edhe për mua standardi ideal i shërbimit publik. Në histori, figurat që mbeten nuk janë ato që mbajnë më gjatë pushtetin, por ato që nuk relativizojnë kurrë karakterin, sepse dinjiteti nuk është dekoratë ceremoniale, por qëndrueshmëri përballë kohës dhe aftësi për të mos u frikësuar as nga e kaluara, as nga e ardhmja. Në këtë kuptim, për mua përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi”.

Ende nuk ka një sqarim se pse shefi i mazhorancës e largoi Pirro Vengon dhe Elisa Spiropalin nga kabineti i tij, pavarësisht se në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit, gjatë disa ndërhyrjeve të kryeministrit, mësohet të ketë përçuar shqetësimin e tij se janë disa deputetë anglishtfolës që “hapin gojën” (flasin) nëpër seli diplomatike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos