PD denoncon “blerje votash” me miell në Mat, policia shoqëron drejtuesin e një furgoni

Nga A2 CNN
9 Prill 2025, 11:31 | Politikë

PD denoncon “blerje votash” me miell në Mat, policia

Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Dibrës, Basir Çollaku përmes një postimi në rrjetin social Facebook, akuzonte ditën e djeshme rivalët socialistë se ishin duke shpërndarë produkte (sipas tij miell) në këmbim të votës për zgjedhjet e 11 majit.

Sipas Çollakut një furgon me ngjyrë të verdhë, në të cilin pretendon se kishte punonjës të njësisë administrative Ulëz, ka ndaluar derë më derë në fshatin Bushkash duke shpërndar, ndaj për këtë arsye ka bërë një denoncim në komisariatin e policisë.

“Furgoni i miellit?!?! Apo...Sot rreth 17 e 30 një furgon “Mercedez Benz”, sprinter i verdhë sipas njoftimeve nga terreni është futur në zonën e Bushkashit duke "inspektuar" banesat me sajdisje. Në timonin e mjetit ishte një eksponent i PS të Matit. Furgoni shoqërohej nga një fuoristradë në të cilën kishte punonjës të njësisë administrative Ulëz. Unë e kam ndjekur vetë bë terren ku dhe e kam fitografuar. Siç do bëjmë me çdo rast kur marrim dijeni. Sprinteri ka dy pronarët e përdoruesit nga Durrësi dhe nga Mati. Emrat do ia përcjellim Policisë se Komisariatit Mat të Drejtorisë së Policisë Vendore Dibër, të cilën e kemi vënë në dijeni, duke pritur për verifikimet e duhura proceduriale. Policia nëpërmjet telefonave të personave në mjet mund të kontrollojnë qelizat e telefonit dhe të konstatojnë rrugëtimin e mjetit të dyshuar”, shkruante Çollaku në Facebook.

Policia e Matit sakaq njofton se ka kryer verifikimet në drejtimin e Prokurorisë Dibër dhe kanë shoqëruar drejtuesin e furgonit për të cilin ka raportuar Çollaku, por nuk kanë konstatuar asnjë shkelje.

“Më datë 08.04.2025, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi B.Ç., 56 vjeç, banues në Tiranë, kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë pasi dyshonte se në fshatin Bushkash, Mat, disa persona të panjohur nga ana e tij, po shpërndanin produkte të ndryshme me një automjet (furgon), me qëllim favorizimin e subjekteve politike. Menjëherë pas administrimit të kallëzimit, shërbimet e Komisariatit të  Policisë Mat, kanë bërë shoqërimin e drejtuesit të automjetit shtetasi F.L., së bashku me automjetin e tij furgon, ku nga kqyrja dhe veprimet hetimore nuk u konstatua asnjë send apo veprim i kundërligjshëm”, sqaron policia.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos