Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka folur për kampin e emigrantëve që është ndërtuar në Gjadër të Lezhës, i cili do të presë shtetasit nga vendet e treta, që do të kthehen pas nga Italia, deri në verifikimin e dokumentacionit të tyre.
Meloni tha nga Tirana, ku po merr pjesë në mbledhjen e Komunitetit Politik Europian, se nuk e ka vizituar kampin këto kohë, por shtoi se puna atje po vijon me shpejtësi, gjë që sipas saj tregon se ç’do gjë është në rrugën e duhur.
Pyetje: “A keni kaluar nga qendra e Emigrantëve në Gjadër?”
“Nuk kam pasur kohë. Puna po vazhdon dhe kjo tregon edhe shpejtësinë e funksionimit, duke dëshmuar ashtu si kishim premtuar, se jemi në rrugën e duhur”, shtoi Meloni më tej.
Meloni foli edhe për situatën në Ukrainë, teksa tha se Bashkimi Europian duhet të këmbëngulë për një marrëveshje serioze paqeje, e cila do të ketë edhe garanci sigurie për Kievin, shkruan A2 CNN.
“Mendoj që nuk do të kërkojmë alternativa, por duhet të këmbëngulim për një armëpushim të pakushtëzuar. Të këmbëngulim për marrëveshje serioze paqeje, që të ketë garanci sigurie për Ukrainën. Po punojmë në këtë drejtim”, tha Meloni.
Në momentin e takimit me kryeministrin shqiptar, Edi Rama iu ul në gjunjë Melonit, një gjest që ai e ka bërë edhe herë të tjera. (A2 Televizion)