Rama: Ja e vërteta e vizave me SHBA-në

Nga A2 CNN
18 Janar 2026, 12:52 | Politikë

Rama: Ja e vërteta e vizave me SHBA-në

Kryeministri Edi Rama ka mohuar deklaratat dhe interpretimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ndaluar vizat për Shqipërinë, duke e quajtur këtë dezinformim, shkruan A2 CNN.

Në episodin e radhës të podcastit të tij, Rama sqaroi se pezullimi i përkohshëm i lejeve të punës nga SHBA prek 75 vende, përfshirë disa vende të Ballkanit dhe Kosovën, por nuk ka asnjë ndikim në vizat turistike apo të biznesit për Shqipërinë.

Sipas kryeministrit, çdo interpretim i gabuar mbi këtë çështje është i pavërtetë dhe synon vetëm të çorodisë opinionin publik.

“Dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë.

Kjo është e pavërtetë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë, dhe kjo është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të Presidentit Trump dhe që nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që, përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm.

Pra, do të humbin thellë e më thellë dhe do të hidhen përpjetë lart e më lart”, u shpreh kreu i qeverisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos