Anëtarësimi i Shqipërisë në BE deri në vitin 2030 nuk është çështje linjëzimi yjesh, por një objektiv që mund të realizohet nëse të gjithë bëjnë çfarë u takon. Këtë e pohoi në Tiranë vetë shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin Rama. Sipas saj, nuk mjaftojnë vetëm reformat në letër.
“2030 është një objektiv realisht? Po, është, në rast se ne të gjithë do të ndërmarrim hapat e duhura gjatë rrugës. Pra, Shqipëria me reformat e saj – jo vetëm reformat që duhen miratuar, por edhe ato të miratuara që duhet të vihen në zbatim”, tha Kallas.
Por, a është e vetmja Partia Socialiste, me në krye Edi Ramën, që mund ta çojë Shqipërinë në Bruksel si një anëtare me të drejta të plota në familjen evropiane, siç pretendon Kryeministri? Kësaj pyetje përfaqësuesja e lartë e Brukselit iu përgjigj në mënyrë diplomatike, duke nënvizuar domosdoshmërinë e gjithëpërfshirjes.
“Në këtë rrugëtim, duhet në fakt bashkëpunimi i të gjitha palëve, sepse për këtë duhen disa reforma shumë të vështira që duhen zbatuar plotësisht, dhe për këtë duhet mbështetje dhe përkrahje e plotë”, tha ajo.
Pra, jo vetëm thjesht reformat, por edhe zbatimi i tyre, që kërkon mbështetjen e plotë të partive politike, shkruan A2 CNN. Kryeministri Rama tha se e mirëkupton përgjigjen e zyrtares së BE-së që nuk i konfirmoi ekskluzivitetin, duke shpjeguar se Unioni nuk mund të mbajë anë mes partive në prag të zgjedhjeve.
“BE nuk vendos kush fiton dhe kush humbet zgjedhjet në Shqipëri dhe as nuk lidh politikën e vet me atë se kush zgjidhet në Shqipëri. Kjo është elementare. Por ama, nga ana tjetër, ajo që unë them dhe përsëris është që nuk ka një forcë tjetër që e kryen dot këtë mision. Këtë, nuk është BE që e përcakton dhe edhe në qoftë se e mendojnë, nuk kanë për ta thënë ndonjëherë”, tha Rama.
Gjatë konferencës për shtyp, A2 CNN pyeti Kryeministrin edhe për vendosjen e tarifave nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, ndaj eksporteve të vendit tonë. Ndryshe nga liderët e BE-së, Edi Rama u shpreh i qetë.
“Qasja jonë ndaj gjithë kësaj politike të re që po bëhet me tarifat është një qasje shumë e thjeshtë dhe në një farë mënyre komode për vetë pozicionin tonë, për vetë volumin e tregtisë që ne kemi me SHBA. Dhe në rast se i referoheni edhe tabelës së tarifave të shpallura nga Salla Ovale, ne nuk kemi arsye të kemi asnjë shqetësim”, tha Rama.
Më herët, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, u takua edhe me Presidentin Bajram Begaj. Zyra e shtypit e këtij të fundit njoftoi se gjatë këtij takimi është diskutuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar si mjetin më efektiv gjeopolitik për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. (A2 Televizion)