Rama mbledh sot qeverinë dhe deputetët, zbardhet nisma e re e socialistëve

Nga A2 CNN
28 Mars 2026, 10:13 | Politikë

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të shtunë, në orën 11:00, një mbledhje të zgjeruar me qeverinë dhe grupin parlamentar socialist.

Takimi do të hapet me fjalën e kryeministrit, ndërsa më pas do të vijojë nga kreu i grupit paralametar të PS Taulant Balla.

Mbledhja, që do të mbahet në Pallati i Kongreseve, pritet të fokusohet te çështje kyçe si Kadastra dhe Reforma Territoriale.

Në këtë takim do të mbajnë fjalën edhe drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, kryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, si dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.

Ndërkohë gazetarja e A2CNN, Fjorela Beleshi raporton se pas përcaktimit të detyrave si në qeveri ashtu edhe në parti, deputetët, ministrat dhe drejtuesit politikë do të udhëzohen që të nisin takimet me qytetarët në të gjitha bashkitë e vendit, nën moton “Punët e Shqipërisë”.

Ky tur pritet të nisë nga java e ardhshme dhe do të zgjasë deri më 12 qershor, që përkon me ditëlindjen e Partia Socialiste e Shqipërisë. Ai konsiderohet si një parafushatë me takime tematike dhe partiake, ku ministrat do të angazhohen në çdo qark të vendit.

Java e parë do t’i dedikohet integrimit europian, ku aktivitetet do të fokusohen në shpjegimin e ecurisë së negociatave për qytetarët. Më pas, tematikat do të vijojnë me çështje si punësimi, ekonomia dhe pagat.

Po ashtu, kryebashkiakët e majtë pritet të zhvillojnë takime me qytetarët për të dhënë llogari mbi premtimet e bëra dhe realizimin e tyre, përpara se të kërkojnë një mandat të ri në zgjedhjet vendore.

Kjo është mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë dhe grupit parlamentar pas Asamblesë Kombëtare Socialiste të zhvilluar një javë më parë në Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos