Rama në Bordin e Paqes: Shqipëria ka pranuar të kontribuojë me trupa në Gaza

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2026, 17:23 | Politikë

Rama në Bordin e Paqes: Shqipëria ka pranuar të kontribuojë

Shqipëria ka pranuar të marrë pjesë për të kontribuar me trupa në Gaza. Kështu u shpreh gjatë fjalës së tij në Bordin e Paqes në Uashington kryeministri Edi Rama, i cili falënderoi presidentin amerikan për ftesën që Shqipëria të jetë një nga vendet themeluese të këtij bordi. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh shpresëplotë për të ardhmen e Gazës dhe fëmijëve palestinezë.

“Z. President, ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj. Në të njëjtën kohë, propozoj që ky Bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë.  Duke bërë kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës që janë pengjet më të pafajshme të lunatizmit të Hamasit, të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që ka shtrënguar bashkë njerëzimi ndonjëherë,  jo vetëm duke vendosur paratë, por po kështu duke sjellë dhe arkitektët e tyre në mënyrë që bota të transformojë një plagë të historisë në një oaz shprese, ku dhembshuria merr formë konkrete dhe e ardhmja merr formë rreth atyre që meritojnë më shumë, brezi i ardhshëm i palestinezëve. Shqipëria do të ishte e privilegjuar të bëhej pjesë e këtij vargu”, u shpreh Rama, përcjell A2 CNN

Gjatë fjalës së tij Rama theksoi gjithashtu edhe mbështetjen e vendit tonë ndaj kësaj iniciative për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

“Faleminderit që më keni ftuar të jem pjesë e këtij rrugëtimi, z. President. Vota plotësisht e harmonizuar dypartiake që parlamenti ynë pati në mbështetje të kësaj nisme, flet vetë përsa e nderuar ndihet Shqipëria që është një prej anëtareve themeluese e kësaj organizate të re. Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigand në agoni dhe dashtë Zoti, ta zgjojë, atëherë, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos