Vitin e vjedhjes së shqiptarëve, e cilëson Sali Berisha 2025-ën, duke pohuar se aferat që kanë ndodhur përgjatë këtyre 12 muajve nuk janë parë kurrë më herët. Pavarësisht se nuk arriti të fitonte në 11 Maj, Berisha e cilëson 2025 si një sukses të opozitës duke numëruar rezolutat që janë miratuar me kërkesë të PD në forumet e partive të djathta, por ankohen për bllokim të hapësirave në arenën kombëtare.
“Edi Rama hoqi çdo maskë, bllokoi çdo hapësirë në parlament për opozitën shqiptare, dëshmoi se pasardhësi i denjë i xhelatëve të regjimit komunist është i gatshëm të zbatojë në këtë vend pikë për pikë ato platforma që zhdukën nga Shqipëria opozitën”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
2025-ën e konsideron edhe vitin e aferave korruptive, ku cilëson dosjen e AKSHI-t si më të rëndën. “Aferat janë të panumërta të këtij viti, por afera më e zezë e të gjitha të zezave është AKSHI i familjes Rama. Është AKSHI i kësaj familje, dhe duhet të mësojnë shqiptarët një të vërtetë këtu”, u shpreh kryedemokrati.
Edhe në këtë konferencë për mediat, Berisha nuk la pa akuzuar ish-kreun e SPAK, Altin Dumanin, duke pohuar se po bën përpjekje për të bllokuar hetimet për dosjen e AKSHI-t. “AKSHI rrezikon shumë të mos ketë hetim të plotë pasi Altin Dumani siç ka bërë përpjekje për të bllokuar hetimin e Lubi Ballukut, dosjen Balluku, ka bërë ndërhyrje brutale për të gjymtuar hetimin e AKSHI-t”, shtoi ai.
Për vitin 2026 Berisha u premtoi demokratëve se Edi Rama nuk do jetë më kryeministër. Dorëheqja e kreut të qeverisë sipas tij ishte opsion, por tashmë që sipas tij nuk ka sinjale të tilla nga kundërshtari, e kërcënon me përballjen e zemërimit popullor. “Dorëheqja ishte një opsion, por ai nuk pranon dorëheqjen, shqiptarët do ta heqin. Shqiptarët do ta heqin, nuk mund të pranojnë kurrë më një hajdut si ai, për kryeministër”.
Premtimin e një viti më parë që nuk e përmbushi dot përballë demokratëve, pohon se do ta arrijë në 2026-ën. “Rrëzimin e këtij regjimi, qeverinë teknike, zgjedhje të reja”.
(A2 Televizion)