
Lushnja ishte "stacioni" i radhës i kryeministrit dhe kryesocialistit Edi Rama, ku vijoi takimet në kuadër të turit të Asamblesë së PS-së.
Duke folur në krah të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, Edi Rama hodhi poshtë pretendimet për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke i konsideruar pretendimet e opozitës si "gënjeshtra me 7 bishta".
Në fjalën e tij, Rama theksoi se procesi po ecën sipas një plani të dakordësuar me Komisionin Europian.
“U mbush e gjithë hapësira e tenxhereve me një vorbull të madhe, që u bllokuan negociatat, u ndaluan, mbaroi kjo punë, e humbëm treni për në Europë, një gënjeshtër me 7 bishta, as është bllokuar, as është ndaluar, asgjë. E vërteta është që po ecim sipas planit. Kemi një plan të dakordësuar me Komisionin Europian. Është një kalendar që na i ka vënë Komisioni Europian Përpara. Negociatat vazhdojnë. Edhe për këtë fazë, kur të mbyllet, do ndodhi si me Bordin e Paqes, si me flamurin gjerman, siç ka ndodhur gjithmonë, gënje sa të mundesh, gënje kë të mundesh, mundësisht gënje sa më shumë, orë e çast, se diçka do mbetet, se gjë tjetër s’dinë të bëjnë”, tha Rama. (A2 Televizion)