Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me fermerë në Lushnjë, prezantoi ndryshimet në Skemën Kombëtare për Bujqësinë dhe Blegtorinë 2026, duke theksuar se heqja e naftës pa taksa është një hap i lidhur me afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Rama u shpreh se skema e mëparshme kishte problematika dhe nuk garantonte që përfituesit të ishin realisht fermerët që punojnë tokën.
“Nafta ka qenë pjesë e një faze të caktuar të këtij procesi. Jo të gjithë përfituesit ishin ata që e meritonin dhe e përdornin për punë bujqësie. Skema kishte problematikë për shkak të mënyrës së ndarjes sipas pronësisë së tokës, pasi në shumë raste toka nuk punohej nga pronari, por nga qiramarrësi”, tha Rama.
Ai theksoi se një skemë e tillë nuk aplikohet në Bashkimin Europian dhe se Shqipëria është kritikuar për këtë model.
“Nuk e ka Bashkimi Europian këtë skemë. Ne e kemi justifikuar si një fazë kalimtare, por tani kemi hyrë në një hap tjetër”, u shpreh kryeministri.
“Nuk do të japim më mbështetje në bazë sasie si më parë, por do të japim një mbështetje më të madhe për ata që janë realisht në treg. Ai që shet prodhimin, paraqet faturën dhe merr 10% të TVSH-së mbrapsht, para në dorë
Me ato para mund të blesh naftë sa të duash, por nuk është më nafta thelbi i mbështetjes”, u shpreh ai.
Skema Kombëtare për Bujqësinë 2026, parashikon ndryshime në mënyrën e mbështetjes për fermerët, duke hequr skemën e naftës pa taksa. (A2 Televizion)