“Rama nuk pyet askënd”, Albatros Rexhaj: Partia Demokratike ka ndërhyrë në Bruksel

Nga A2 CNN
3 Mars 2026, 23:14 | Politikë

Analisti Albatros Rexhaj, i ftuar në studion e “Off The Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, komentoi zhvillimet më të fundit politike dhe reagimet që kanë ardhur nga Brukseli lidhur me debatin për ndryshimet ligjore dhe raportin politikë–drejtësi.

Sipas Rexhajt, toni i ashpër i diskursit europian nuk ka qenë i rastësishëm, por rezultat i një pune të strukturuar politike nga ana e opozitës.

“Diskursi nga Brukseli ka qenë i ashpër sepse Partia Demokratike ka ndërtuar rast më të mirë atje. Ka bërë shumë aktivizëm politik dhe ka arritur ta shesë versionin e vet. Brukseli, bazuar në këtë narracion, ka reaguar. Këtu rol ka pasur edhe Jorida Tabaku”, deklaroi ai.

Rexhaj theksoi se tashmë përgjegjësia kalon te Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni që ka miratuar Kodin e Procedurës Penale dhe që, sipas tij, ka të drejtën sovrane të ndërhyjë mbi të.

“Topi i ka kaluar Kuvendit. Kuvendi ka krijuar Kodin e Procedurës Penale dhe e ka të drejtën të shtojë, të heqë dhe të bëjë çfarë të dojë. Nuk pyet askënd Edi Rama. Ky është një vendim politik që merret brenda institucioneve shqiptare”, u shpreh ai.

Megjithatë, analisti vlerësoi se në planin politik ndërkombëtar, kryeministri ka pësuar një goditje.

“Në këtë situatë, Edi Rama e ka humbur betejën e parë. Ky është fakt dhe ai është detyruar të rikalibrojë politikën e tij. Tani e tutje, kam shumë dyshime se ky narracion do të shitet më tej në Bruksel”, shtoi Rexhaj në Off The Record me Andrea Dangllin.

Sipas tij, zhvillimet e ditëve në vijim do të tregojnë nëse mazhoranca do të zgjedhë përplasjen me partnerët europianë apo një kurs më të moderuar, në një moment kur procesi i integrimit mbetet prioritet strategjik për vendin.

Debati për raportin mes politikës, drejtësisë dhe ndërhyrjeve ligjore pritet të zhvendoset tashmë në sallën e Kuvendit, ku mazhoranca do të duhet të balancojë mes shumicës numerike dhe presionit politik e diplomatik nga jashtë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos