Rama sulmon opozitën për negociatat: La kokrrën e namit me urrejtje dhe molotov, Shqipëria fitoi

Nga A2 CNN
24 Maj 2026, 13:07 | Politikë

Të martën e 26 majit BE pritet të nisë mbylljen e negociatave të anëtarësimit. Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri- Bashkimi Europian vjen disa muaj pas hapjes së të gjithë kapitujve, ndërsa për fazën tjetër vendet anëtare morën kohë të gjatë për t'u bindur, duke përforcuar kërkesat e tyre nga garancitë për zgjedhje të lira, dialogu politik për reformat e deri tek drejtësia efektive dhe e papenguar nga politika. Por në shënimet e tij të javës kryeministri shfrytëzoi rastin për të bënte ironi me opozitën, duke e cilësuar miratimin e IBAR-it humbje të demokratëve.

“Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në funde ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari”, deklaroi kreu i qeverisë.

Rama akuzoi gjithashtu opozitën se bëri gjithçka që të dëmtonte imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare përmes protestave të dhunshme dhe deklaratave kundër procesit të integrimit europian.

“Ndërkohë që “molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës, gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve e flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në median e botës, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të”.

Një tjetër zhvillim pozitiv nga Brukseli, sipas kryeministrit, është edhe disbursimi i 49 milionë eurove të tjera në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Me këtë fond, mbështetja totale për Shqipërinë arrin në 212 milionë euro, duke e renditur vendin si përfituesin më të madh në rajon nga ky program.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos