
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale mbi procesin e integrimit europian, duke deklaruar se pengesa kryesore e Shqipërisë nuk janë standardet e Bashkimit Europian, por korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.
Tabaku shprehet se Shqipëria ndodhet përballë një momenti historik që mund të humbasë nëse procesi vazhdon të trajtohet si propagandë politike.
“Integrimi europian nuk fitohet me slogane. Fitohet me reforma, me standarde dhe me institucione që funksionojnë”, shkruan ajo.
Deputetja demokrate sulmon edhe mënyrën sesi, sipas saj, qeveria po e trajton procesin e integrimit, duke e kthyer në një betejë propagandistike dhe jo në një plan real transformimi për vendin.
“Problemi nuk është ai që kërkon standarde europiane, zgjedhje të ndershme apo drejtësi të pavarur. Problemi janë ata që i shkelin ato”, thekson Tabaku.
Ajo paralajmëron se Shqipëria po rrezikon të humbasë një “dritare historike gjeostrategjike”, në një moment kur Europa ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa rajoni ka nevojë për Europën.
Në reagimin e saj, Tabaku merr si shembull Malin e Zi, që sipas saj ka arritur të mbyllë 15 kapituj negociues, ndërsa Shqipëria vazhdon të mbetet e bllokuar nga korrupsioni dhe mungesa e reformave reale.
“Europa nuk është slogan politik. Është mekanizëm standardesh, transparence dhe përgjegjësie”, shkruan ajo, duke kërkuar që procesi i integrimit të bëhet transparent dhe t’u përkasë realisht qytetarëve shqiptarë. (A2 Televizion)