“Pse duhej pritur Trump për armëpushimin?” Rama pas samitit: Skuadër bashkërenduese të KPE nën kujdesin e KiE

Nga A2 CNN
16 Maj 2025, 19:09 | Politikë
Do të kemi një skuadër bashkërenduese të KPE nën kujdesin e zyrës së Presidentit të Këshillit Europian për një seri temash. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në përfundim të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen e Danimarkës, Mette Frederiksen, përcjell A2 CNN.

"Për t’i mbajtur fort bashkë vlerat e parimet që udhëheqin shoqëritë tona, për të bërë gjithçka kemi në mundur për të mbrojtur vlerat dhe parimet tona të mishëruara në shoqëritë tona, duke mbrojtur vendet tona, qytetarët tanë dhe të ardhmen tonë. Ndërkohë diskutuam edhe si do të ecim më tej. Diskutuam për të investuar më shumë në iniciativa, në ato fushatat europiane që i përkasin këtij komuniteti politik dhe në ato vende që nuk i përkasin ende BE dhe që nuk do t’i përkasin ndonjëherë. Dita ka qenë e frytshme, patëm një sërë tryezash të rrumbullakëta, një seri temash diskutimi. Patëm përfundime shumë interesante që do të çohen më tej nga danezët. Ndërkohë vendosëm që do të kemi një skuadër bashkërenduese të KPE nën kujdesin e zyrës së Presidentit të Këshillit Europian. Kjo është një sintezë e përgjithshme të asaj çfarë bëmë sot", tha Rama, raporton A2 CNN.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë shqiptare tha se Europa duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj dhe për të investuar në kapacitetet e saj të vetëmbrojtjes, duke ngritur pikëpyetje mbi armëpushimin në Ukrainë.

“Unë besoj se kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër lidhet me emrin e vetë Europës. Europa ka qenë gjithmonë përfaqësuese e disa gjërave që të tjerët i kanë pasur zili. BE është produkt i një ëndrre fëmijë, që askush nuk do e besonte, por ja që ndodhi. Ndaj besoj që po, na duhet të bëjmë ato që është folur për mbrojtjen. Kemi një të ardhme që duhet ta ndërtojmë. Ka edhe një pikëpyetje, pse duhej pritur Donald Trump që të merrte në konsideratë armëpushimin? Sepse ne ishim të apasionuar ndaj një kauze të drejtë, por humbëm terren në diplomaci”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos