
Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh të shkurtër në profilin e tij në Facebook, pas takimit në Tiranë me ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias.
“Një mik i çmuar dhe një mbështetës i palëkundur i partneritetit strategjik mes Shqipërisë e Greqisë”, për të vijuar më pas me një fjali në greqisht: “Faleminderit shumë, i dashur Niko. Udhëtim të mbarë dhe të sigurt për në shtëpi”.
Dendias është takuar fillimisht me homologun e tij shqiptar Ermal Nufi, para takimit kokë më kokë me kreun e qeverisë Rama.
Vizita e Dendias në Tiranë shënon rikthimin e palëve në bisedime për ndarjen e kufirit detar. Që prej rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese e marrëveshjes së firmosur nga qeveria Berisha në Tiranë, çdo përpjekje tjetër e qeverive të kryeministrit Rama ka dështuar.

Pak vite më parë palët ranë dakord që çështjen ta zgjidhnin me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ekipet negociatore nuk u ngritën kurrë për ta përgatitur këtë proces.
Në qendër të diskutimeve që po rinisin pritet të jetë përgatitja e një marrëveshjeje formale që do t’u lejonte të dy vendeve t’ia paraqisnin gjykimit ndërkombëtar mosmarrëveshjen e tyre mbi shelfin kontinental dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive.
Athina dhe Tirana po kërkojnë të përfitojnë nga ajo që zyrtarët grekë e përshkruajnë si një fazë pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.
Përballë gatishmërisë së palës shqiptare për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, Greqia, nga ana e saj, ka konfirmuar mbështetjen ndaj vendit tonë në Bashkimin Europian.
Vetë kryeministri Rama gjatë vizitës së fundit në Greqi, tha se kontestimi i marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese kur ai ishte në opozitë, ishte më së shumti shfrytëzim i një momenti politik. (A2 Televizion)