Dendias në Tiranë, Berisha: Rama sabotoi marrëveshjen e detit me Greqinë

Nga Anesti Barjamemaj
25 Maj 2026, 13:11 | Politikë

Çështja e marrëveshjes së detit me Greqinë vijon të prodhojë debat në politikën Shqiptare. Teksa negociatat janë në vendnumëro pas prishjes së marrëveshjes së parë, Sali Berisha akuzon Edi Ramën se është ai shkaktari që sot nuk kemi një pakt për detin me vendin fqinj.

Në të njëjtën kohë që ministri grek i mbrojtjes, Nikos Dendias, ishte në zyrën e Ramës, kreu i Partisë Demokratike po zhvillonte një konferencë për mediat. Dendias, është i mirëpritur në Shqipëri, tha Berisha, ndërsa akuzoi kundërshtarin politik për sabotim të marrëveshjes me Greqinë.

“Edi Rama, për llogari të palëve të treta, bëri gjithçka që të sabotonte marrëveshjen e arritur para vitit 2013 me palën greke. E kam theksuar dhe e theksoj se ajo ishte një marrëveshje ku të dy palët fitonin, ishte win-win marrëveshje”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Tashmë çështja e ndarjes së ujërave territorial pritet të shkojë në gjykatën e Hagës, por Berisha rezervohet për produktin që do të prodhojë takimi Rama-Dendias.

Rezultati i këtij takimi mund të bëhet publik shumë vonë, por Berisha ka në duar rezultatin e referendumit të së shtunës. Pavarësisht fitores në adresë të Berishës, të paktën publikisht, nuk kanë mbërritur mesazhe urimi nga partitë simotra të PD.

“Kam marrë urime nga miqtë e mi, pres urime, por të jemi të sinqertë, nuk mund të them se unë jam nga ata që çoj shumë urime, kështu që në këtë rast ka një lloj reciprociteti”, tha kreu i PD.

Me këtë fitore në jetëshkrimin e tij politik, Berisha duket se është gati për sfidën e radhës përballë Edi Ramës në 2029. “Një mikun timin e kanë uruar kryeministër kur ai ishte 95 vjeç. Ai i drejtoi me sukses të plotë atë qeveri. Po a do jem unë si ai, kjo varet nga i madhi Zot dhe demokratët. Gjer tani të garantoj që po t'i pjesëtosh për dy moshën time, merr të vërtetën e saj”.

Berisha premtoi sërish hapje të partisë, ku sipas tij gjithçka do të nisë nga Kuvendi Kombëtar i së shtunës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos