Rinisin bisedimet për kufirin detar, ministri grek i Mbrojtjes takon Edi Ramën dhe Ermal Nufin

Nga A2 CNN
25 Maj 2026, 08:30 | Politikë

Rinisin bisedimet për kufirin detar, ministri grek i Mbrojtjes takon Edi

Ministri grek i Mbrojtjes Nikos Dendias mbërrin sot në Tiranë, një vizitë që shënon rikthimin e palëve në bisedime për ndarjen e kufirit detar, shkruan A2CNN. 

Dendias takohet fillimisht me homologun e tij shqiptar Ermal Nufi e më pas rreth orës 12:30 do të ketë një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama.

Që prej rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese e marrëveshjes së firmosur nga qeveria Berisha në Tiranë, çdo përpjekje tjetër e qeverive të kryeministrit Rama ka dështuar.

Pak vite më parë palët ranë dakord që çështjen ta zgjidhnin me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ekipet negociatore nuk u ngritën kurrë për ta përgatitur këtë proces.

Në qendër të diskutimeve që po rinisin pritet të jetë përgatitja e një marrëveshjeje formale që do t’u lejonte të dy vendeve t’ia paraqisnin gjykimit ndërkombëtar mosmarrëveshjen e tyre mbi shelfin kontinental dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive.

Athina dhe Tirana po kërkojnë të përfitojnë nga ajo që zyrtarët grekë e përshkruajnë si një fazë pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.

Përballë gatishmërisë së palës shqiptare për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, Greqia, nga ana e saj, ka konfirmuar mbështetjen ndaj vendit tonë në Bashkimin Europian.

Vetë kryeministri Rama gjatë vizitës së fundit në Greqi, tha se kontestimi i marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese kur ai ishte në opozitë, ishte më së shumti shfrytëzim i një momenti politik.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos