Rama: Po punojmë për rritjen e numrit të mësuesve specialë

Nga A2 CNN
9 Prill 2025, 10:37 | Politikë

Rama: Po punojmë për rritjen e numrit të mësuesve

Kryeministri Edi Rama, në konferencën rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian”, deklaroi se Ministria e Arsimit po punon për rritjen e numrit të mësuesve specialë në shkolla.

“BE ka përcaktuar financim të veçantë që ndihmon vendet anëtare për të ecur në shinat e paracaktuara përmes dokumentit të garancisë evropiane dhe zbatuar masa konkrete në reduktimin e varfërisë së fëmijëve dhe nga ana tjetër në ngushtimin e hendekut që është tejet shqetësues në të gjithë hapësirën evropiane, sidomos si rezultat i goditjes që i dha pëlhurës sociale pandemia e disa viteve më parë. Këtu, financimi i posaçëm i BE-së lidhet me përfshirjen aktive të qeverive dhe në ndërtimin e partneriteteve me organizata joqeveritare dhe me përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale e shëndetësore dhe programe mbështetëse për prindërit. Në këto drejtime kemi bërë progres të dukshëm, një bazë e sigurtë për të ndërtuar më tutje duke synuar që të përfitojmë aktivisht nga financimi i BE-së”, tha Rama, shkruan A2.

Kryeministri shtoi se “një nga pikat ky synojmë të bëjmë një hop sasior dhe cilësor në financim dhe organizim është adresimi i situatës së 16 mijë fëmijëve me aftësi të veçanta, të cilët janë përfitues të skemave të reja të mbështetjes, por të cilët në këtë fazë dhe kushtet kur mundësitë tona ekonomike rriten, meritojnë rritje të mbështetjes nga ana jonë”.

“Një rritje mbështetjeje e cila nuk është thjesht financiare, por edhe institucionale. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë dhe Arsimit po punojnë që të rrisin numrin e mësuesve specialë, sikundër dje kemi hapur një kapitull të ri në sistemin tonë të shërbimit shëndetësor me hapjen e klasave të para për fëmijët në spital, klasa mësimore dhe arti, që u shërbejnë fëmijëve që të mos humbasin kontaktin me mësimin, por u shërbejnë përmes një kurrikule speciale që të energjizohen me besim dhe bindjen se do t’ia dalin në betejën e sëmundjeve të tyre”, theksoi më tej Edi Rama.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos