Ardit Bido, kandidati i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës për zgjedhjet e 11 majit, foli në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN për fushatën elektorale që pritet të nisë në fundjavë.
Ai tha se është një kandidat që nuk është i varur nga interesat e momentit, por nga bindjet e tij. “Unë vij me një plan-program qasjesh dhe angazhimesh që unë marr përsipër. Unë nuk ju tregoj qytetarëve përralla në ajër. Unë vij me një vizion në një mënyrë që ata të zgjedhin një ofertë reale politike me të cilën do të përfaqësohen. Po ashtu si një zë që nuk është i varur nga interesat e momentit, por nga bindjet e mia. Nëse do të duan pluset dhe minuset e kandidatëve të tjerë le t’i votojnë. Ne ofrojmë besueshmërinë për të ardhmen”.
Më tej, ai komentoi edhe replikat me kreun demokrat Sali Berisha. “Ai ka dalë në konferencë për shtyp duke përmendur dy emra, Edi Rama dhe Ardit Bido. Ai ishte, kujt do t’i përgjigjesha unë. Të nesërmen ishte zëdhënësja e Partisë Demokratike që doli në konferencë me një tjetër gënjeshtër. Kujt do t’i përgjigjesha unë, zëdhënëses? Unë i jam përgjigjur me kallëzim zëdhënëses, por patjetër që zëdhënësja është e vendosur nga Sali Berisha. Më pas, doli deputetja e zonës këtu Ina Zhupa që bëri një denoncim të paqenë, por ajo nuk doli në kokë të vet. Ky është një sulm i orkestruar dhe i vijueshëm ndaj meje. Janë 4 denoncime aq të faktueshme nga ana ime sepse kam nxjerr dokumentet për t’ia hedhur poshtë. Pse dëshiron të bëjë një fushatë duke përmendur vetëm emrin tim nga 180 kandidatë të Partisë Socialiste?!”, tha Bido. (A2 Televizion)