Mbledhja e Komunitetit Politik Europian do të mbahet në 16 maj, në Sheshin Skëndërbej në Tiranë, shkruan A2 CNN.
Lajmi për këtë Samit u bë i ditur në korrik të vitit të kaluar nga kryeministri britanik Keir Starmer. Ai e njoftoi këtë lajm në konferencën përmbyllëse të takimit të Komunitetit Politik Europian të mbajtur në Pallatin Blenheim vitin e kaluar.
Menjëherë pasi Starmer ndau lajmin, kryeministri Edi Rama tha se ky është një tjetër fakt i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ku më parë sipas tij, ne shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike, ndërsa sot jemi stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik.
“Mirëmëngjes dhe me lajmin e bukur se Shqipëria do të mikpresë vitin tjetër Samitin e Komunitetit Politik Europian, si një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ku deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik, po shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkroi Rama atëherë në rrjetet sociale.
(A2 Televizion)