Kryeministri Edi Rama, në rubrikën "sy m'sy" u ndal edhe tek çështja e 21 janarit, duke pyetur se përse SPAK nuk ka urgjencë për këtë çështje.
Kreu i qeverisë thotë se ka ikur koha kur qeveria kontrollonte drejtësinë dhe sot vetëm një idiot mund të thotë se SPAK është vegël e Partisë Socialiste, përcjell A2.
“Çfarë më kërkoni mua për 21 janarin? Çfarë duhet të bëj unë për 21 janarin? Tani vetëm duhet të jesh idiot që të vazhdosh të thuash që SPAK e kontrollon Rama. SPAK bën një politikë të caktuar në kuptimin e vendimmarrjeve të tij, por nuk është vegël e askujt kjo është shumë e qartë. Kërkojani SPAK-ut 21 janarin. E premtova që nuk ikën, dhe po ua them që nuk ikën pa u ndëshkuar, se nuk jam unë që e bëj ndëshkimin. 21 janari është nga ato çështje ku drejtësia vonon, por nuk harron. Urgjencë për të paraburgosur kryetarin e bashkisë, pse s’ka urgjencë për 21 janarin, për krim monstruoz, janë vrarë 4 njerëz", tha Rama.
"Çfarë t'u them unë, çfarë duhet të bëj unë? Ka vdekur ajo kohë kur partia e kryeministri kontrollonin drejtësinë dhe merrnin në mbrojtje të gjithë horrat. Hidhuni përpjetë, thoni ç’të doni, kjo është e vërteta historike”, tha Rama. (A2 Televizion)