Rama: S’ka abuzime në çmimin e naftës, të ardhurat e fituara do t’u shkojnë pensionistëve

Nga A2 CNN
22 Mars 2026, 09:53 | Politikë

Rama: S’ka abuzime në çmimin e naftës, të ardhurat e

Kryeministri Edi Rama u ndal gjatë podkastit të sotëm "Flasim" te vendimet e fundit të qeverisë për ngritjen e Bordit të Transparencës në lidhje me naftën, si dhe uljen me 20 për qind të akcizës mbi naftën. Në fjalën e tij kryeministri theksoi se nga monitorimet e deritanishme nuk rezulton të ketë patur abizime me çmimin e naftës. Duke u ndalur te akciza, kreu i qeverisë tha se të ardhurat e përfituara do të shkojnë për pensionistët. 

"Është një temë që kërkon vëmendje dhe ka vëmendjen tonë të vazhdueshme, orë pas ore dhe siç e kemi thënë, kemi ndërmarrë hapa konkretë, është ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave me qëllim që të rritet kontrolli dhe të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg. Nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon, dhe duke qenë se çmimi ka pasur një tjetër kërcim, është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e bordit të transparencës, i cili do të sigurohet se nuk do të ketë përfitues apo profiterë, siç i thonë në anën tjetër të bjeshkëve, që do të duan të shfrytëzojnë krizën për të futur më shumë para në xhep.

Në të njëjtën kohë është marrë edhe një vendim tjetër për të ndërhyrë me një masë të përkohshme, gjë që po e bëjnë edhe vende tjera në akcizën e naftës, duke i bërë asaj një ulje me rreth 20 %, në mënyrë që të lehtësohet, si të thuash, disi barra mbi përdoruesit e automjeteve. Por ndërkohë, dua ta them shumë, shumë qartë, që në fund të ditës, ajo që ne na intereson e para është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se në këtë rast, niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilidoqoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët, vetëm për të mbështetur pensionistët", tha Rama. 

Paralelisht, kryeministri paralajmëroi futjen në treg të një faktori publik të ri, që synon të ndikojë në krijimin e një ekuilibri të çmimeve dhe rritjen e transparencës në tregun e naftës në Shqipëri.

Sipas tij, kjo ndërhyrje do të synojë edhe luftën ndaj evazionit dhe kontrabandës së naftës, përfshirë abuzimet me regjimin e tranzitit.

"Në të njëjtën kohë, ne po ecim me shpejtësi nga njëra anë për projektligjin për rezervat strategjike, i cili ndodhet në konsultim publik. Është një proces i nisur përpara se të fillonte kjo krizë e re, që lidhet me humbjen e baraspeshës së botës në rang global, gjë e cila po provokon kriza pas krizash. Dhe nga ana tjetër, paralelisht, ne po përgatitemi që të fusim në treg një faktor publik, një forcë të re, e cila do të ketë barren, që së bashku me një sërë masash tjera të bëjë një ndërhyrje domethënëse në vendosjen, jo vetëm të një ekuilibri në aspektin të çmimit në tregun e naftës, por edhe të një niveli krejt të ri përsa i përket transparencës së atij tregu, përsa i përket lëvizjeve të naftës në Republikën e Shqipërisë dhe përsa i përket edhe një fenomeni ende të pashterur në këtë aspekt, që është evazioni dhe kontrabanda e naftës, duke përfituar edhe nga regjimi tranzit dhe duke bërë marifete të cilave ju ka ardhur fundi.

Ne do të ndërhyjmë dhe besojmë shumë që në një periudhë, jo shumë të largët, do të tregojmë me fakte, që ndërhyrja ka qenë një ndërhyrje në të mirë të shoqërisë, në të mirë të përdoruesve të automjeteve të konsumatorëve të naftës, po mbi të gjitha, në të mirë të të gjithë atyre që nuk ndotin dhe nuk ia kanë për borxh atyre që ndotin, duke ngarë makina me naftë që në ndërkohë të paguajnë një pasojë, të cilës ne duam t’i japim fund”, vijoi kryeministri. 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos