
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me pensionistët, tha se të ardhurat e siguruara nga rritja e çmimit të naftës, përmes taksave, për shkak të luftës në Iran do u kalojnë pensionistëve.
“Ju kujtohet që vitin e shkuar thanë po e japin bonusin për fushatë. Këtë vit s’kemi fushatë. Bonusi s’ka lidhje me asgjë tjetër, veçse me vëmendjen që ju kemi premtuar. I është shtuar buxhetit fitimet nga të ardhurat prej çmimit të naftës, nuk është mbajtur në buxhet, por është pjesë e bonusit që do marrin pensionistët që nga sot. Të gjitha të ardhurat që erdhën nga rritja e çmimit të naftës nga lufta, do t’i merrni ju”, tha Rama, shkruan A2.
“Nuk janë vetëm pensionistët, por edhe personat me aftësi të kufizuar, të cilët prej kohësh prisnin këtë që ne bëmë, dyfishimin e ndihmës per personat me aftësi të kufizuara. Janë fëmijët me aftësi të veçanta, u mor vendimi dhe fillon tani dyfishimi i ndihmës. Është vendosur që sigurimet e kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuara do i paguajë shteti”, shtoi kryeministri.
(A2 Televizion)