Pasi u kthye nga Brukseli, kryeministri Edi Rama, në takimin me Këshillin Koordinues me Diasporën u shpreh i bindur se deri në vitin 2027 do të mbyllen negociatat me Bashkimin Europian.
“Plani ynë i përbashkët strategjik me Bashkimin Europian për t’i përfunduar negociatat për anëtarësim brenda vitit 2027 dhe për t’i hapur rrugë ratifikimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në parlamentet e vendeve anëtare, ka marrë mbështetje të plotë”, tha Rama, shkruan A2.
Ndërsa për votën e emigrantëve, Rama e cilësoi si një proces jo të lehtë, pavarësisht se, sipas tij, për Partinë Socialiste është një çështje e mbyllur.
“Vota e diasporës është një mision jo i lehtë. Dua të tërheq vëmendjen për një ndryshim të rëndësishëm që ka ndodhur në Gjermani, që ka hequr dorë nga detyrimi për të pasur nënshtetësi unike dhe ka hapur rrugën që të ketë dy nënshtetësi. Kjo gjë deri dje i ka detyruar shqiptarët të heqin dorë nga nënshtetësia shqiptare. Duke qenë se tani ka shumë shqiptarë që duan të marrin sërish nënshtetësinë shqiptare, duhet që Ministrja e Jashtme të garantojë një shërbim të shpejtë”, deklaroi Edi Rama.
(A2 Televizion)