Teksa mazhoranca përgatitet të kalojë me procedurë të përshpejtuar ligjin për faljen e gjobave për të gjitha ata që kanë ndërtuar pa leje në zonat rurale, demokratët dorëzuan në Kuvend disa amendamente për të zgjeruar shtresat e përfituesve, duke e cilësuar blof qasjen e socialistëve. Para grupit parlamentar, Berisha shpjegoi se gjobat që kërkon të falë me ligj shumica e majtë, janë rrëzuar me vendim të gjykatës kushtetuese.
“Ne do kërkojmë faljen e të gjitha gjobave dhe kamatë vonesave që ekzistojnë për energjinë elektrike, për të gjitha shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla pa përjashtim. Kjo përputhet plotësisht me angazhimin tonë që në 100 ditët e para do përcaktohet kuadri ligjor i çmimeve të energjisë elektrike në përputhje me rrogat dhe pensionet”.
Në rendin e ditës për seancën e së enjtes do të diskutohet edhe ligji për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope, ku demokratët deklaruan votën e tyre kundër.
“Në mënyrë antiligjore, sjellin tani ligjin e përdorimit të drogës në parlament. De facto i përdorimit të drogës, kështu është i mbuluar me substancat psikotrope. Ne, atë ligj do e kundërshtojmë me forcën më të madhe. Të studiohet dhe të gjejmë ligjet më serioze të mënyrës së përdorimit farmaceutik të kanabiolit”.
Një ditë më parë demokratët kërkuan ngritjen e komisionit hetimor për portin e Durrësit, por Berisha porositi deputetët që të prezantojnë edhe kërkesë për interpelancë.
“E vështirë të gjesh një aferë multi-miliardëshe siç është kjo, ku toka dhe uji që merren mund të kushtojnë mbi 2 miliardë, ku ndërtimet 12.600 apartamente me 6 hotele luksoze, pishina, etj, që të gjitha pasuri e grupeve kriminale të Dubait, me të cilat, siç dëshmoi gazetari investigativ Artan Hoxha, Edi Rama ka bërë takim të veçantë gjatë vizitës së tij në Dubai me temë investimet e tyre në Durrës”.
Lideri demokrat hodhi akuza edhe në drejtim të kreut të qeverisë, ku pohoi se vëllai i tij, Olsi Rama është në hetim ndërkombëtar. (A2 Televizion)