“Teatër me përkrahjen për drejtësinë”, Basha: Qeveria Rama do me çdo kusht të pengojë SPAK

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2024, 11:20 | Politikë

“Teatër me përkrahjen për drejtësinë”,

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha zgjodhi të fliste për mediat në oborrin e Kuvendit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po tenton të pengojë punën e SPAK-ut.

“Kjo qeveri ndodhet nën ankthin e aferave të shumta korruptive, se fjalët i merr era. Se pas fjalëve gjoja mbështetje ndaj SPAK, fshihet veprimtaria e qëllimtë e ditë për ditshme, e përnatshme e kryeministrit të vendit, e kryetarit të bashkisë së  Tiranës, e ministrave dhe ish-ministrave të Edi Ramës, për të penguar me çdo kusht dhe me çdo çmim punën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Tashmë është e qartë si nga Brukseli dhe nga Uashingtoni, qeveria e Shqipërisë është qeveria më e korruptuar në Balllkan”, deklaroi Basha.

Basha  i lidhi akuzat e tij ndaj shefit të qeverisë me bllokimin që mazhoranca i bëri propozimeve të Demokratëve Euroatlantikë, të cialt sipas tij do të ndihmonin në forcimin e SPAK.

“Është e qartë që SPAK me gjithë përkushtimin e tij në luftën kundër korrupsionit, përbën kërcënim jetik jo thjesht për pushtetin por edhe për përballjen e Edi Ramës me drejtësinë. Por kjo nuk mund të jetë kurrsesi një realitet në një vend ku shumica dërrmuese e shqiptarëve, siç tregohet studim pas studimi, mbështesin SPAK sepse duan t’i japin fund jo thjesht aferave korruptive që i kanë marrë frymën ekonomisë, që kanë shkatërruar familjet shqiptare, që kanë vënë në rrezik të ardhmen e fëmijëve shqiptarë, por edhe pse duan pas 34 vitesh tranzicioni në dukje të pafund, t’i japin fund korrupsionit dhe t’i japin fund aferave të pushtetarëve dhe një pseudodrejtësie që të mbronte në vend që të godiste të korruptuarit shqiptarë duke krijuar kulturën e pandëshkueshmërisë”, u shpreh ai.

Në vijim, Basha pretendoi se qeveria po bën teatër me mbështetje me fjalë për SPAK-un. Ky shoë sipas tij po bëhet për të mbuluar të vërtetën.

“Dhe e vërteta është siç e tregon edhe bllokimi 1 vjeçar edhe i propozimeve tona në ndihmë të SPAK, se Edi Rama dhe qeveria e tij janë në një kurs përplasjesh dhe konflikti interesi me SPAK. Nuk ka asnjë arsye tjetër se pse këto amendamente, në kundërshtim total me çdo praktikë parlamentare nuk futen në rendin e ditës, nuk çohen në komisionin e ligjeve, nuk diskutohen. Sepse diskutimi i tyre do t’i nxirrte zbuluar”, nënvizoi Basha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos