“Ramën e rrëzojnë qytetarët”, Berisha: Do të thërrasim në tryezë të gjithë opozitarët

Nga Anesti Barjamemaj
5 Janar 2026, 15:08 | Politikë

Arrestimi i Nikola Maduros nga forcat Delta të SHBA ka ngjallur shpresën e Sali Berishës se efektet e këtij operacioni mund të shtrihen në Shqipëri. Pavarësisht se Edi Ramën e ka krahasuar shpesh me Nikola Maduron, sërish Berisha thotë se largimin e kryeministrit të Shqipërisë e pret nga qytetarët e jo nga ndërkombëtarët.

“Kam besim se shqiptarët, të cilët e kanë pritur siç keni parë ju, me interesin më të madh arrestimin në dhomën e tij të gjumit të narko-diktatorit të Venezuelës dhe paraqitjen e tij në sallën e gjyqit në Nju Jork, presin me padurim për t’u përballur me diktatorët e tyre dhe narko-diktatorin e tyre nërastin e tyre në Shqipëri, dhe për t’i dhënë atij ndëshkimin dhe vendin që meriton”, u shpreh Berisha.

Për të larguar Edi Ramën, lideri demokrat shtrin dorën e bashkëpunimit me të gjithë faktorët opozitarë, duke njoftuar se të premten dotë organizojë një takim me të gjithë ata që janë kundër mazhorancës aktuale.

“Opozita thërret ditën e premte tryezën e të gjitha forcave politike dhe faktorëve influentë në shoqërinë shqiptare për të krijuar një bashkërendim, një front të gjerë kundër narko-regjimit të Edi Ramës dhe për të ndërmarrë të gjitha lëvizjet, protestat, demonstratat, revoltat e domosdoshme për largimin e tij një minutë e më parë”.

Kryetari i Partisë Demokratike përballë gazetarëve deklaroi se shumë shpejt do të thërrasë protestë kombëtare, duke theksuar edhe kërkesat që ka.

“Partia Demokratike insiston dhe do të insistojë për një qeveri teknike për përgatitjen e një procesi të drejtë zgjedhor. Partia Demokratike, nuk avancon as edhe një emër, pa u arritur marrëveshja për qeverinë teknike. Pasi të arrihet marrëveshja për qeverinë teknike, pa diskutim PD do të avancojë, osedo të paraqesë propozimet e veta krahas forcave të tjera politike”.

Edi Ramën e akuzon edhe për shkelje të Kushtetutës, pasi siç tha nuk ka zbatuar rregulloren e Parlamentit për heqjen e mandatit të Belinda Ballukut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos