
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetin social X, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për heqjen e imunitetit për deputeten, ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Tabaku akuzon Kryeministrin se po përgatitet t’i ofrojë mburojë politike zëvendëses së tij, duke theksuar se mbështetja ndaj drejtësisë nuk tregohet me deklarata, por me veprime konkrete.
“Sot, mazhoranca socialiste duket e vendosur të votojë kundër kërkesës së SPAK. Kjo nuk është më vetëm një çështje gjykate, por një çështje e thellë morali. Vetëm një qeveri e të pandehurve mund të bëhet mburojë për korrupsionin e një qeverie të tërë”, shkruan Tabaku.
Deputetja e PD-së thekson se gjatë 12 viteve të fundit, sipas saj, korrupsioni ka qenë “e vetmja gjë në modë”, ndërsa akuzon Kryeministrin se po sillet jo si burrë shteti, por si “avokat publik, institucional dhe politik” i zyrtarëve të dyshuar për abuzim me detyrën, shkruan A2 CNN.
“Ai ka shkelur premtimin se nuk do të përdorte imunitetin për të mbrojtur të korruptuarit. Sot jemi në fazën ku i ka shpallur luftë të hapur SPAK-ut dhe Reformës në Drejtësi”, thekson Tabaku.
Sipas saj, një vend me standarde demokratike respekton institucionet e pavarura dhe nuk ushtron presion ndaj drejtësisë përmes votës politike.
“Kuvendi nuk është zyrë avokatie e Kryeministrit. Deputetët nuk janë mburoja për ministrat dhe zëvendëskryeministrat. Ata janë aty për të mbrojtur interesin publik, jo interesin e pushtetit. Çdo votë kundër drejtësisë është votë pro vjedhjes”, përfundon reagimin e saj deputetja demokrate. (A2 Televizion)