Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 90/2012 'Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore'”. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat drafti synon përmirësimin e organizimit, efikasitetit dhe llogaridhënies së institucioneve shtetërore, duke i përafruar me praktikat më të mira evropiane dhe rekomandimet e OECD/SIGMA.
Ministria njofton se në këtë projektligj përfshihet sistem i ri mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje për të gjitha institucionet nën varësinë e kryeministrit dhe ministrave, bazuar në objektiva të matshme dhe vlerësime vjetore të performancës.
Në të janë parashikuar kritere të qarta për krijimin e institucioneve, duke kufizuar hapjen e strukturave të reja vetëm kur justifikohet nga numri i punonjësve dhe prioritetet qeveritare.
Gjithashtu riorganizim i institucioneve jo-ministrore, duke i kategorizuar ato si institucione varësie dhe agjenci autonome, sipas rekomandimeve të OECD/SIGMA, për të shmangur fragmentimin dhe mbivendosjen e funksioneve.
Ky projektligj synon një administratë më efikase, më pak burokratike dhe me përgjegjësi të qarta institucionale, duke u përshtatur me kërkesat e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Projektligji "Për organizimin e administratës shtetërore": Standarde evropiane në administratën publike shqiptare
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka publikuar për konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 90/2012 'Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore'”.
Ky projektligj ka për qëllim të përmirësojë organizimin, efikasitetin, funksionimin dhe llogaridhënien në institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, me qëllim adresimin e problematikave ekzistuese dhe përshtatjen e funksionimit të administratës shtetërore me praktikat më të mira evropiane të organizimit institucional. Përmirësimet e këtij ligji vijnë si përgjigje ndaj një nevoje të artikuluar qartë për linjëzim të mëtejshëm me standardet e BE, sidomos në këtë fazë kur Shqipëria po avancon me ritme të shpejta në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në shkurt 2024 OECD/SIGMA hartoi një raport voluminoz të titulluar “Administrata Publike në Shqipëri”, ku teksa evidenton që Shqipëria është lider rajonal në funksionimin e administratës publike në fushat e menaxhimit të financave publike, menaxhimit të shërbimit civil dhe burimeve njerëzore, si dhe të zhvillimit dhe koordinimit të politikave për reformën në administratën publike, parashtron dhe një sërë rekomandimesh për t’i adresuar.
Konkretisht, OECD/SIGMA shprehet se “ Qeveria duhet të përcaktojë një tipologji të qartë të organeve të qeverisjes qendrore dhe të sigurojë zbatimin e saj të njëtrajtshëm; nëse është e nevojshme, duke riorganizuar organet ekzistuese për t’i përputhur me rregullat e reja dhe duke shmangur dublikimin e funksioneve të organeve të qeverisjes qendrore. Ministritë e linjës, duhet të vendosin mekanizma transparentë për planifikimin e punës dhe raportimin, si për ministritë, ashtu edhe për institucionet vartëse ”.
Në përgjigje të nevojave të evidentuara për ndryshime, si dhe rekomandimeve të OECD/SIGMA, projektligji vjen me disa risi dhe ka në fokus një administratë në efiçente, më pak burokratike, me role dhe përgjegjësi të qarta institucionale. Projektligji është propozuar për të uniformizuar më tej punën në institucionet e administratës shtetërore, duke shmangur zgjidhjet e përkohshme që shpesh shkaktojnë probleme e sjellin fragmentim të përgjegjësisë, dhe vakume në sistemin e llogaridhënies.
Krijimi i sistemit të ri të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies
Projektligji shënon një hap të rëndësishëm duke vendosur një sistem modern dhe të unifikuar mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje të zbatueshëm për të gjithë institucionet dhe agjencitë në varësi të kryeministrit dhe ministrave. Puna e institucioneve do të vlerësohet duke u bazuar te objektivat e matshëm dhe performanca reale vjetore. Ky sistem i ri ka si qëllim të garantojë një menaxhim më efikas dhe të orientuar drejt rezultateve përmes planeve vjetore të performancës, vetëvlerësim të performancës, dhe mbikqyrjen e zbatimit të planit nga ministria përgjegjëse ose kryeministri.
Vendosen kritere për krijimin e institucioneve
Me qëllim rritjen e efiçencës institutionale, sipas këtij projektligji një institucion varësie mund të krijohet vetëm nëse ka një numër minimal punonjësish që e justifikon ekzistencën e tij. Gjithashtu, projektligji vendos kritere për krijimin e institucioneve në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, duke parashikuar se mbeten në varësi të kryeministrit institucionet që shërbejnë dhe kontribuojnë në realizimin e funksionit kushtetues të Kryeministrit, si dhe institucionet e ngarkuara me funksione horizontale që nuk mund të kryhen nga ministritë e linjës. Sipas draftit, institucione të tjera në varësi të kryeministrit mund të krijohen vetëm nëse i përkasin një fushe të konsideruar si prioritare në programin politik qeveritar, dhe për sa kohë ajo fushë konsiderohet si e tillë.
Riorganizimi i institucioneve jo-ministrore
Drafti i ri synon të thjeshtojë sistemin e institucioneve joministrore, duke propozuar dy lloje të trupave jo-ministrore/ekzekutive: institucionet e varësisë dhe agjencitë autonome, të rikonceptuara, sipas rekomandimit të OECD/SIGMA. Në raport Shqipëria është vlerësuar me 0 nga 8 pikë në indikatorin që mat numrin e institucioneve me natyrë administrative që raportojnë në Kuvend, për shkak të numrit shumë të lartë të këtyre institucioneve që raportojë tek legjislativi. Sipas SIGMA (fq.71) “ Autonomia e enteve rregullatore për funksionimin e përditshëm është e garantuar. Megjithatë, ato raportojnë në Kuvend, çka nuk është thelbësore, për ruajtjen e pavarësisë së tyre funksionale. Përkundrazi, distanca e tyre nga ekzekutivi mund të cënojë llogaridhënien institucionale për performancën e tyre të përgjithshme. ”
Ripërcaktimi i roleve dhe përgjegjësive
Ndryshimet në ligj synojnë ndarjen dhe mirëpërcaktimin e roleve dhe përgjegjësive ndërmjet niveleve hierarkike, duke evituar përqëndrimin e tepërt të vendimmarrjes vetëm në nivelet e larta menaxheriale, si ministrat apo sekretarët e përgjithshëm. Projektligji parashikon që, pavarësisht se ruhet roli mbikqyrës i ministrit dhe sekretarit të përgjithshëm, vendimmarrja për çështje të përgjegjësisë nga pikëpamja përmbajtësore, sidomos për vendimmarrje të natyrës rutinore, mbetet tek drejtuesit të nivelit të mesëm, përveç rasteve kur ligji e lidh vendimmarrjen me një autoritet të një niveli më të lartë.
Ky projektligj është publikuar në portalin e konsultimit publik, në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për komente dhe sugjerime nga të gjithë aktorët e interesuar.
(A2 Televizion)