“Daniel Shima u rrëmbye”, Berisha: U mbajt peng në bodrumet e mafies

Nga Anesti Barjamemaj
21 Gusht 2025, 15:05 | Politikë

“Një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye”. Sali Berisha nuk beson versionin e policisë dhe dëshminë e Daniel Shimës, ish-zëvendës drejtorin e AKSHIT, për largimin e tij me dëshirë nga banesa dhe kthimin te familjarët pas alarmit që u përhap të mërkurën. Berisha doli para mediave për të deklaruar se Shima u rrëmbye dhe për disa orë u mbaj peng nga mafia.

“Policia e lokalizoi atë tek Qyteti Studenti, por pastaj u tha hiqni dorë nga kjo, çojeni në Elbasan. Hajdeni merreni vesh tani se ku... Por një gjë del e sigurt, që ky për disa orë u mbajt peng në një bodrum mafie, vrasësish serialë, në të cilën atij iu mbyll goja”, tha Berisha, raporton A2 CNN.

Sipas liderit të opozitës alibia se Shima kishte pasur konflikt me të dashurën nuk qëndron, por shtoi se pas gjithë ngjarjes qëndron Edi Rama. “Dënoj me forcën më të madhe rrëmbimin dhe kërcënimet e mëdha që i janë bërë Daniel Shimës, një person siç u faktua, i planifikuar për t’u zhdukur nga Edi Rama me mafien e tij”, tha ai.

Lidhur me dëshminë e dhënë nga vetë Shima para uniformave blu se është larguar me dëshirë, Berisha deklaroi se 34-vjeçari është kërcënuar ndaj dhe nuk po tregon të vërtetën. “Hape gojën po deshe, e ka plumbin pas veshit. Pa që mund ta varrosnin të gjallë në bodrum, i thanë nuk po e bëjmë këtë se u bë zhurmë. Dhe i thanë po fole do pësosh këtë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos