Kryeministri Edi Rama ka vijuar sërish sot kritikat ndaj gjykatësit Hazbi Balliu për lirimin nga konfiskimi të një pallati pa leje, që do shërbente për zyrat e reja të Kadastrës në Tiranë. Në një postim në Facebook kreu i qeverisë shprehet se gjykatësit Balliu i janë dashur vetëm 10 minuta për ta marrë vendimin në favor të palës paditëse.
“As 10 minuta nuk i janë dashur gjykatësit Balliu që t’i dalë kundër shtetit dhe të marrë anën e paditësve që kanë bërë një pallat të tërë pa leje, i cili u konfiskua si i tillë e iu dha Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”, shprehet Rama.
Sipas tij materialet që iu vunë në dispozicion gjykatësit për shqyrtim, kërkonin të paktën 9 minuta kohë, por Rama thekson se Balliu nuk i ka lexuar. Ai thotë se për të ka rëndësi vetëm fakti që te zyrat e vjetra të ASHK-it nuk ka pasur viktima deri tani.
“Materialet që institucionet i vunë në dispozicion Balliut duan shumë më tepër se 9 minuta të lexohen, por natyrisht që gjykatësi as nuk i ka lexuar sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK, e cila është bërë e pasigurt nga tërmeti nuk ka pasur asnjë viktimë dhe kësisoj puna sipas tij mund të vazhdonte nën tavanët që binin, ndërsa pallatin pa leje shohim e bëjmë”. (A2 Televizion)