Diasporës mund t’i jepen edhe 4 ditë kohë më shumë për regjistrimin në zgjedhjet parlamentare nëse partitë politike bien dakord. Me këtë qëndrim, Ilirjan Celibashi komentoi kërkesën e Sali Berishës për të shtyrë afatin e regjistrimit. Por sipas komisionerit shtetëror të zgjedhjeve, Kodi Zgjedhor nuk lejon zgjatjen përtej datës 9 mars.
Kërkesa e demokratëve për të shtyrë me dy javë afatin e regjistrimit të diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit përballet me dy pengesa. E para është kodi zgjedhor dhe e dyta dakordësia e socialistëve. Për të parën, KQZ thotë se mundësitë janë për një plotësim të pjesshëm të dëshirës së Sali Berishës, duke e zgjatur afatin me 4 ditë, ndërsa për të dytën, negocimi shkon përtej zyrës së Ilirjan Celibashit.
"Nuk mund të shkojmë tej datës 9. Diskutimi mbetet se nga data 4 deri në dt. 9 a mund të shtyhet. Ka qenë një kërkesë e PD për ta shtyrë këtë afat, nga pikëpamja teknike për ne si institucion nuk ka asnjë problem. PS nuk ka qenë dakord dhe sipas arsyetimit të PS, shtyrja e afatit më shumë do të sillte konfuzion sesa dobi", tha Celibashi.
Deri më tani janë rreth 42 qytetarë shqiptarë që kanë aplikuar, por u është refuzuar kërkesa për pasaktësi të ndryshme. Drejtuesi i KQZ shprehet i gatshëm të ndërmarrë një rol proaktiv për të nxitur këta qytetarë që të riaplikojnë në mënyrë të suksesshme, por edhe ky vullnet i Celibashit mbetet në dorën e humorit të politikës, shkruan A2 CNN.
"Të shikohet mundësia që KQZ të kishte disa ditë më shumë në dispozicion për të asistuar një proces të riaplikimit të tyre. Dhe nëse ia dalim që ky numër zgjedhësish të trajtojmë në mënyrë individuale, siç kemi disa ditë që e bëjmë, mendoj se do të ishte me dobi, por mendoj se duhet konsensus. Historia ka treguar se partitë politike ndryshojnë qasje në bazë të interesave të tyre, siç ishte caktimi i votimit dhe numërimit elektronik vetëm në Bashkinë Vorë dhe njësinë nr. 10 të Tiranës, duke lënë më shumë se 300 pajisje pa përdorim në 11 maj. Kërkesa për të kufizuar elektronikën erdhi pikërisht nga PD, që më herët kishte insistuar në përdorimin e saj. Ndoshta është më mirë kështu, që të jetë konfident ky proces sesa që në krye të herës të kundërshtohet ky proces", tha Celibashi.
Negociatat politike – nëse do të ketë të tilla – duhet të jenë të rrufeshme, pas data 4 mars përmbyll të gjithë procesin e regjistrimit të diasporës dhe KQZ duhet të vijojë me hapat e tjerë procedurialë. (A2 Televizion)