Sali Berisha ka vendosur t’i kthejë borxhin Ilir Metës duke i siguruar atij mandatin si deputet në zgjedhjet e 11 majit, në listat e mbyllura të Partisë Demokratike. Garancinë aleatit ia shprehu publikisht nga dyert e SPAK, ku shkoi të zbatonte masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, shkruan A2 CNN.
Sinkron: Ilir Meta është i burgosur politik dhe ka mbështetjen e plotë, totale, të PD dhe të gjithë opozitës shqiptare. Nuk ka diskutim. Lista të hapura? A mund të bëjë fushatë ai nga burgu? Ai donte lista të hapura, por ata e mbajnë në burg që të mos bëjë fushatë, sepse Edi Rama do të marrë mandatet duke mbajtur kundërshtarët në burg.
Pas komunikimit me mediat dhe simpatizantët nga oborri i Gjykatës së Posaçme, Berisha zhvilloi konferencë për shtyp me gazetarët në selinë qendrore të PD. Ai foli për primaret, të cilat i cilësoi si kriterin kryesor për kandidatët për deputet, por jo një garanci absolute për të siguruar një vend në listat e mbyllura.
Sinkron: Kjo garë nuk është bërë për të qenë në lista të sigurta. I sigurt të jetë që ai që merr më shumë vota do të jetë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Por, pa diskutim, në përpunimin e listave të mbyllura ky është një nga kriteret kryesore. Listat e mbyllura kanë aleatët, kanë disa kushtëzime. Janë disa faktorë që ndërhyjnë.
Sa i takon marrëveshjes me aleatët, nuk dha detaje, por mohoi që mes tyre të ketë probleme.
Sinkron: Nuk ka ngecje të negociatave me aleatët. Negociatat ecin mirë, marrëveshja do të dorëzohet në mesnatë. Është në vazhdim e sipër, por nuk ka ngecje. Jo, nuk ka ngecje. Probleme të mëdha nuk kemi, megjithatë do të shohim fundin. Janë në negociata, vazhdojnë negociatat.
Berisha theksoi se në listën e hapur në Tiranë, aleatët e PD do të kenë përfaqësuesit e tyre. (A2 Televizion)