Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit. Në një postim në rrjetet sociale Vetëvendosje e quan një vendim arbitrar që cenon demokracinë. Sipas partisë së kryeministrit Kurti, në arsyetimin e Gjykatës dallohet se nuk ka asgjë tjetër përpos frazave të përdorura nga PDK mbi analogjinë.
Vetëvendosje thekson se “Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve, nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”.
Postimi i plotë i Vetëvendosjes në Facebook
10 ditët e Aktgjykimit
Pas 10 ditësh Gjykata pranoi që përmes Aktgjykimit të publikuar sot ka shkruar rregull të ri.
Tejkalimi i juridiksionit nuk justifikohet me asgjë. Ditët vonesë për publikimin e vendimit njoftojnë pamundësinë për ta justifikuar vendimin arbitrar që cenon demokracinë.
Kufijtë e ngushtë të arsyetimit sot janë rrjedhojë e gjerësisë së tejkalimeve që ia ka lejuar vetes Gjykata.
Se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, u konfirmua sërish. Zhurma opozitare u rrëzua përsëri. Por paragjykimi i Gjykatës për mungesën e konsensuesit politik sa kohë që nuk është hedhur asnjëherë në votim është ecje në rrugën e subjekteve bllokuese. Kjo rrugë na kthen pas aty ku nuk pati rezultat.
Analogjia që përdor Gjykata nuk ka ku të qëndrojë. Kushtetuta ndryshe nga zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit, për zgjedhjen e Presidentit i përcakton qartë raundet e votimit edhe pasojat juridike të moszgjedhjes brenda një afati. Në arsyetimin e Gjykatës dallohet se nuk ka asgjë tjetër përpos frazave të përdorura nga PDK mbi analogjinë. Në bazë të "tezës" së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Këtë po e kërkojnë dhe thonë eksponentët opozitarë, madje edhe në komentet dërguar kushtetueses.
Si rrallë herë, Gjykata Kushtetuese nuk iu referua asnjë kushtetute evropiane dhe botërore, as nuk kërkoi mendime të gjykatave kushtetuese homologe për krahasueshmëri rastesh. Një rast pra si asnjë rast tjetër. (A2 Televizion)