Sali Berisha vijoi turin e foltoreve me anëtarësinë e Partisë Demokratike duke kërkuar mbështetjen në betejën politike të opozitës, betejë e cila sipas tij, duhet të vijojë në mënyrë paqësore.
“Ne nuk jemi parti e dhunës. Unë e kuptoj se ka prej jush që me të drejtë mendojnë se këta meritojnë dajak dhe më shumë se dajak, meritojnë hurin dhe më shumë se hurin. Por pra ne nuk jemi ajo parti. Po unë do t’ju jap dy shembuj, të mos humbasin durimin, ne kemi fituar dhe fitojmë me qëndresën tonë paqësore”.
Takimi erdhi pak ditë pas protestës kombëtare në Bulevard kur kryedemokrati u kujdes të nënvizonte se rotacioni politik mund të vijë vetëm përmes votës dhe distancuar forcën politike që drejton nga aktet e dhunës.
“Jemi forcë demokratike, jemi opozitë demokratike. ne do të përdorim çdo mënyrë demokratike, jo të dhunshme për përzënien e tyre. Nuk rezistojnë dot ata”, tha Berisha.
Partinë Demokratike Berisha e përkufizoi si viktimë të një procesi të padrejtë elektoral duke u shprehur se në kushte të barabarta, fitorja ishte në duart te PD-së.
“PD do të fitonte zgjedhjet, në qoftë se bandat ndër më të rrezikshmet në Evropë, kartelet e drogës nuk do të nxirrnin hanxharët e krimit kundër zgjedhësve”, theksoi ai.
Akuzat ndaj qeverisë nuk munduan në fjalën e Berishës duke u shprehur se turi i ri i foltoreve synon rikthimin e besimit të Partia Demokratike. (A2 Televizion)