
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Manza ku ka zhvendosur takimet e “Foltores”, ka bërë thirrje për intensifikimin e protestave dhe rikthimin e përditshëm në shesh, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Berisha deklaroi se beteja e opozitës ka nisur fillimisht në parlament dhe më pas në sheshe, duke theksuar se opozita aktuale është një opozitë e vërtetë dhe e vendosur. Ai u shpreh se Partia Demokratike nuk është dhe nuk do të jetë kurrë parti e dhunës, pavarësisht zemërimit të qytetarëve, duke nënvizuar se përmbysjet më të mëdha në historinë e saj janë arritur përmes qëndresës paqësore.
Duke sjellë shembuj historikë, Berisha kujtoi vitin 1991, kur regjimi komunist u rrëzua pa përdorur armë, si dhe vitin 1997, kur sipas tij, dhuna u mposht me votë. Ai theksoi se edhe sot, përzënia e qeverisë do të vijë vetëm përmes mjeteve demokratike dhe paqësore.
Kreu i PD-së vlerësoi qëndresën e deputetëve opozitarë në parlament dhe protestën e 22 dhjetorit, duke theksuar se ato patën jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe përbënin një fitore në rrafshin e së drejtës.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve që, në një datë të caktuar, të zënë sheshin dhe të rikthehen aty çdo natë, derisa qeveria të largohet. “Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën si mi”, u shpreh ai. Në fund, Berisha deklaroi se viti 2026 do të nisë si një mision për përmbysjen e asaj që ai e quajti “diktaturë të dytë”, duke shprehur bindjen se populli opozitar do të jetë në lartësinë e këtij misioni. (A2 Televizion)